Po blini shtëpinë e parë apo të pestë, procesi i blerjes së një prone krijon shumë emocione dhe ndjesi nga më të ndryshmet.
Po blini shtëpinë e parë apo të pestë, procesi i blerjes së një prone krijon shumë emocione dhe ndjesi nga më të ndryshmet. Një nga mënyrat më të mira për të siguruar që ky proces të mos krijojë ngarkesa negative është duke marrë gjithë informacionin e nevojshëm më parë, në mënyrë që të jeni sa më të përgatitur.
Ka shumë pyetje që blerësit i bëjnë vetes apo konsulentit të tyre imobiliar gjatë rrugës. Kujtoni që nuk ka pyetje budallaqe; përkundrazi, nëse ndiheni të pasigurt për çfarëdo çështjeje apo hapi të këtij procesi, pyetni!
A duhet të blej apo të rri me qira?
Blerja e një prone mund të jetë një investim i madh. Për disa, marrja me qira mund të jetë një opsion më i përballueshëm. Por në situatën aktuale të tregut të financimit bankar, interesat gjithmonë e më konkurruese e kanë bërë blerjen një proces më të arritshëm. Aktualisht, interesat e kredive bankare variojnë nga 2% - 4.5% në vit. Duke konsideruar një mesatare prej 3-3.5%, blerja duket mjaftueshëm me interes dhe e përballueshme, duke marrë parasysh që në fund të këtij procesi, prona mbetet e jotja.
Është e rëndësishme të theksohet që, për sa kohë nuk ka taksa shtesë për shtëpinë që kemi në zotërim, edhe mbajtja e saj, pas blerjes, mbetet e përballueshme.
A duhet të flas me bankën para se të kërkoj për shtëpi?
Përgjigjja është PO! Duhet të matni forcat tuaja duke ditur sa ju financon banka. Sqaroni idetë duke ndarë dëshirën nga mundësia dhe duke kuptuar sa mund t’i lejoni vetes. Nuk ka arsye të shikoni për shtëpi 100,000 euro kur banka ju financon vetëm 70,000 euro.
Nga ana tjetër, duke kuptuar si funksionon mekanizmi i kredisë, do të dini cilat janë kostot e tjera që lidhen me të, duke filluar nga parapagimi (bankat financojnë vetëm 70-80% të shumës së blerjes, pjesën tjetër duhet ta keni vetë), siguracionet, kostot ligjore etj.
A më duhet një Konsulent imobiliar për të gjetur shtëpinë time?
Absolutisht! Edhe pse mund të duket e tepruar të paguash dikë për të bërë atë që mendon se e bën vetë më mirë, në një proces që kërkon shpenzime të mëdha, konsulenti imobiliar mund t'ju kursejë shumë para. Ai njeh tregun, di sa është shitur prona ngjitur me atë që dëshironi të blini dhe është i papërfshirë emocionalisht, duke negociuar me gjakftohtësi dhe profesionalizëm.
Kush paguan komisionin e agjencisë?
Në tregun imobiliar shqiptar, shitësi paguan 2-3% të shumës së shitjes, ndërsa blerësi paguan 1% të shumës së shitjes.
Cilat janë çmimet e zonës?
Blerësit pothuajse gjithmonë zgjedhin të blejnë shtëpinë e radhës në zonën ku kanë jetuar deri tani, të cilën e njohin mirë dhe me të cilën kanë lidhje emocionale. Të gjithë shkojmë drejt të njohurës, ndërsa e panjohura është më e vështirë të pranohet. Për këtë arsye, një nga idetë e pakta të qarta që kanë kur kërkojnë një shtëpi, është zona. Pyetja më e shpeshtë që bëjnë lidhet me çmimin e zonës dhe shitjet që janë kryer në zonën e tyre të interesit. Kjo ju ndihmon të kuptoni mundësitë tuaja dhe për këtë, askush nuk mund t’ju informojë më mirë se konsulenti imobiliar!
Sa prona duhet të shoh para se të vendos?
Nuk ka një përgjigje të duhur për këtë pyetje. Nëse blerësi është i qartë në idetë dhe mundësitë e tij dhe bashkëpunon me një konsulent të zot imobiliar, ky i fundit është i aftë t’i ofrojë minimalisht 4-5 prona që përkojnë me dëshirën dhe pritshmërinë e blerësit. Mendoj që ky është një numër i mirë për të krijuar një ide të qartë dhe për të bërë zgjedhjen e duhur. Vizitimi i më shumë pronave vetëm ngatërron idetë dhe e bën më të vështirë vendimmarrjen.
Si funksionon procesi i shitblerjes?
Një nga pyetjet më të shpeshta është çfarë ndodh pasi pranohet oferta dhe palët bien dakord për çmimin dhe kushtet e blerjes.
Palët i drejtohen zyrës noteriale, ku paraqesin kërkesat e tyre në lidhje me kushtet e kontratës së shitblerjes. Zakonisht, noterin e zgjedh blerësi. Noteri ka për detyrë të kontrollojë origjinën e pronës, të bëjë rifreskimin e dokumentit të pronësisë për të parë nëse prona është e lirë nga barra apo detyrime, dhe të hartojë kontratën e shitblerjes sipas kushteve për të cilat palët kanë rënë dakord.
Pas firmosjes së kontratës së shitblerjes, blerësi depoziton shumën e blerjes në llogarinë e noterit, e cila mbetet e bllokuar në atë llogari deri në ditën e daljes së certifikatës së re të pronësisë në emrin e tij.
Behet aplikimi në hipoteke për kalimin e pronësisë së apartamentit në emër të blerësit dhe aplikimi për nxjerrjen e certifikatës së re të pronësisë. Këto dy veprime mund të bëhen nga vetë blerësi, por edhe nga noteri përkundrejt një tarife shtesë prej 5,000 lekë të reja.
Pas daljes së certifikatës së re të pronësisë në emër të blerësit, noteri kalon shumën në llogarinë bankare të shitësit dhe transaksioni quhet i mbyllur me sukses! Nuk ju mbetet veçse ta gëzoni shtëpinë e re!